Letra 2026

Çfarë je duke kërkuar?

frère Matthew
Taizé

Shumë persona kërkojnë një kuptim për jetën e tyre. Kërkojnë diçka më të madhe se sa premtimet e lehta që mbushin kaq shpesh ekranet tona. Qeniet njerëzore a nuk janë krijuar për një arsye të vërtetë të të qenurit? Çfarë mund të na lejojë ta zbulojmë këtë?

Kur përpiqemi të jetojmë me besimin e fesë, nganjëherë pyesim veten: çfarë do Hyji prej meje? Dëshirat që kemi janë kaq të shumta. Cila është rruga që mund të përshkojmë me Hyjin?

Gjatë vitit të fundit kemi pritur në Taize të rinj të ardhur nga Ukraina, Palestina, Libani, Nikaragua, Mianmari dhe vende të tjera të shkatërruara nga lufta e nga konfliktet. Feja e tyre dhe dëshira e tyre për një paqe të drejtë e të qëndrueshme kanë qenë për ne burim frymëzimi. Kemi dëgjuar edhe dëshmitë e disa personave që punojnë në Gaza ose që kanë familjarë në atë qytet. Shohim dhimbjen e atyre që kanë persona të dashur të marrë peng dhe dëgjojmë britmën e atyre që kërkojnë drejtësi nën regjime shtypëse.

Pastaj kam kaluar edhe disa kohë me vëllezërit e bashkësisë sonë të Taizesë që jetojnë në vëllazëri të vogla në Brazil e në Kuba. Brazili karakterizohet ende nga trashëgimia e skllavërisë dhe nga pabarazi të mëdha. E megjithatë, ka persona që nuk pranojnë të dorëzohen dhe luftojnë për të qëndruar afër më të varfërve. Mendoj veçanërisht për një bashkësi në qytetin e Salvadorit, ku të pastrehët flenë në kishë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin.

Në Kuba kam parë një popull të guximshëm që përballon vështirësi tejet të mëdha. Kam takuar një gjyshe që ka përdorur të gjitha kursimet e veta në mënyrë që nipi i saj të kishte gjithçka i nevojitej për fillimin e vitit shkollor. Nëna e tij, sikurse shumë kubanë të tjerë, ka emigruar në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.

Në shumë vende, njerëzit pyesin veten: si mund ta përdor lirinë që më është dhënë për t’u shprehur solidaritet atyre që vuajnë? Ata kërkojnë disa mënyra për të konkretizuar dëshirën e tyre për të dashur e për t’u kujdesur, duke i dhënë një kuptim jetës së tyre nëpërmjet ndihmës dhe shërbimit.

Bota jonë është plot me bukuri, por edhe me padrejtësi. Cili është vendi im në gjithë këtë? Çfarë më kërkohet të bëj? Kjo është pyetja që shpesh ndiej në zemër përballë kompleksitetit të jetës dhe zgjedhjeve që më paraqiten.

Në Ungjillin e Gjonit, fjalët e para të Jezusit janë: «Çfarë kërkoni?» E kam bashkëndarë këtë pyetje me një grup prej gjashtë të rinjsh vullnetarë në Taize, të ardhur nga gjashtë vende të ndryshme, të përhapur në katër kontinente. Sa vijon është frymëzuar nga ajo që më kanë thënë ata.

Atyre dhe të gjithë vullnetarëve që na ndihmojnë të organizojmë takimet në Taize, duke kaluar disa kohë me bashkësinë tonë për t’u lutur e për të kuptuar më mirë thirrjen e Krishtit në jetën e tyre, do të doja t’u thoja faleminderit.

frère Matthew

 

Të kërkosh heshtjen

Pas një jave në Taize, kur të rinjtë pyeten se çfarë ka qenë më e rëndësishme për ta, shumë flasin për përvojën e heshtjes. Në një botë të hiperlidhur dhe në lëvizje të vazhdueshme, kjo mund të duket befasuese.

Kur marrim për vete ca kohë dhe shkëputemi prej fluksit të vazhdueshëm të informacioneve, nganjëherë pikërisht në heshtje takojmë me të vërtetë vetveten dhe vërejmë një realitet më të madh.

Në krijimin e mrekullueshëm të Hyjit, tingulli i erës, pëshpërima e përroit dhe kënga e zogjve mund të na përqafojnë dhe të na çojnë drejt asaj heshtjeje të brendshme në të cilën bashkimi me gjithçka që ekziston bëhet i prekshëm. Një natë me yje mund të na mbushë me mahnitje.*

Jezusi ka hyrë në botë heshturazi:* «Fjala u bë njeri e banoi ndër ne».* Ai që ishte pranë Hyjit dhe që ishte Hyj para fillimit të të gjitha gjërave ka ardhur të banojë me ne duke lindur në mënyrë të përvuajtur e të varfër, në heshtjen e natës:* drita që shkëlqen në errësirë.

Pra kjo heshtje nuk është e zbrazët. Bëhet vend takimi. Në heshtje nuk jemi vetëm. Por e kemi të vështirë, sepse mendja jonë është plot me gjëra. Siç thotë Rregulla e Taizesë: «Nëse je i pavëmendshëm, kthehu te lutja sapo ta vëresh shpërqendrimin tënd, pa u ankuar për këtë.»*

Shumë shekuj më parë, dikush lutej kështu: «Për ty tha zemra ime: “Kërkojeni fytyrën time”; fytyrën tënde, o Zot, do ta kërkoj.»* Në heshtjen e zemrës sonë, a do të kthehemi vazhdimisht ta kërkojmë Hyjin?

Shpesh lutja është para së gjithash një dëshirë,* një dëshirë e heshtur për paqe në praninë e Hyjit. Kur nuk dimë se si të lutemi, është Shpirti Shenjt ai që lutet në ne me ofshama të patregueshme.* Dhe nëse dëgjojmë atë pjesë më të thellë të zemrës sonë, mund të perceptojmë praninë e Shpirtit Shenjt. Jam përballë vetes sime dhe përballë Hyjit që merr frymë në mua.

O Hyj i gjallë, më mëso të të kërkoj në heshtjen e zemrës sime, në bukurinë e botës së krijuar, në dëgjimin e Fjalës tënde, në pranimin e pranisë tënde të përvuajtur.

A mund të angazhohemi e t’i kushtojmë çdo ditë pak kohë heshtjes, për të hyrë në praninë e Hyjit? Ndoshta mund të fillojmë me vetëm pesë minuta. Të fillojmë me leximin e një pjese të shkurtër të Biblës, ose duke falënderuar për atë që kemi marrë gjatë ditës; ose thjesht të marrim pak kohë për të qëndruar me vetveten.

 

Të kërkosh një drejtim

Heshtja bën të mundur shoshitjen e vërtetë. Kur kërkojmë drejtimin që duhet të marrim, heshtja na lejon të dëgjojmë atë çka është më e thellë në ne. Kemi nevojë edhe për një liri të brendshme që të mund të bëjmë zgjedhje të përgjegjshme. Kjo liri kërkon që t’i pranojmë kufizimet tona, por pa pasur frikë: frika nuk është kurrë këshilltare e mirë dhe Hyji nuk i detyron kurrë zemrat tona.

Të gjithë kërkojmë një ndjenjë përkatësie dhe ndonjë formë sigurie. Dhe në kërkim të një stili jete autentike, nganjëherë janë të tjerët ata që na ndihmojnë të zbulojmë se kush jemi me të vërtetë. Nëpërmjet të tjerëve mund të befasohemi nga zbulimi i diçkaje që nuk do të kishim mundur ta gjenim vetëm.

Në Ungjillin e Gjonit flitet për dy të rinj që janë në luginën e Jordanit me mësuesin e tyre, Gjon Pagëzuesin, në të cilin kanë besim të plotë. Duke mos dashur t’i mbajë për vete, ai i drejton nga një tjetër, nga Jezusi. Dhe ata nisen për ta ndjekur.

Kur Jezusi i sheh, i pyet: «Çka kërkoni?». Ata përgjigjen: «Mësues, ku banon?», dhe Jezusi thotë: «Ejani e shihni».*

Këto dy pyetje përmbledhin një proces kërkimi dhe zbulimi të drejtimit për një jetë me Krishtin. Duke nisur prej dëshirave tona, prej hovit tonë për një jetë më të plotë – «Çka kërkon?» – kalojmë në ballafaqimin me personin e Jezusit – «Mësues, ku banon?»

Jezusi që na fton duke thënë "Ejani e shihni" është zemërbutë e i përvuajtur dhe na do me një dashuri të pakushtëzuar, të sigurt e të patundur. A do të guxoj t’i përgjigjem ftesës së tij pavarësisht prej ngurrimeve të mia dhe dyshimeve të mia?

O Jezu Krisht, ma trego udhën dhe më bëj të gatshëm ta ndjek atë.*

Kush janë personat që më kanë orientuar drejt Krishtit? Le të kushtojmë një moment për të falënderuar.

 

Të kërkosh gëzimin

Një prej vullnetarëve të Taizesë më ka thënë: «Në vendin tim, të rinjtë përpiqen të mbijetojnë në një botë që ofron gjithçka; por në thellësi, ato që sundojnë janë frika, ankthi dhe depresioni.»

Jemi të rrethuar nga premtime gëzimi. Por shumë prej këtyre nuk çojnë në një gëzim kohëgjatë, dhurojnë vetëm një moment të shkurtër kënaqësie.

Gëzimi buron nga thellësia kur kuptojmë se duhemi për atë çka jemi. Kur kuptojmë se gëzimi është një dhuratë dhe jo diçka që mund ta pretendojmë, zbulojmë se jemi të gatshëm ta pranojmë atë. Atëherë nuk kërkojmë më që ta prodhojmë atë me forcë dhe ecim lehtë përpara.

Jezusi qe ftuar me miqtë e tij në një dasëm,* dhe pas pak kohe vera mbaroi. Në atë moment, mungon diçka: Jezusi është mes të varfërve. Duke i takuar në varfërinë e tyre, dhuron atë që kapërcen çdo pritshmëri të tyre. Ajo që dëshiron për ta është gëzimi, dhe bën gjithçka për ta bërë atë të mundur.*

Shumë vjet më parë gjendesha në Kalkutë, në shtëpinë nënë të Misionareve të Dashurisë. Në mur kishte një fjali të Nënë Terezës që më kujtonte se Hyji na pranon me brishtësinë tonë dhe nuk na kërkon të jemi të përsosur. Nuk kemi nevojë të jemi gjithmonë të fortë.

Varfëria jonë e brendshme mund të na bëjë të druajmë se nuk jemi mjaft të zotët. Kjo gjë shpesh na bën ta fshehim se kush jemi me të vërtetë, në thellësi. Por nëse pranojmë të rrimë me duar të zbrazëta para Krishtit, Ai vjen për t’i mbushur ato, duke e shndërruar atë varfëri pak nga pak.

Edhe në momentet kur ndiejmë trishtim dhe gëzimi duket larg, është e mundur të kujtojmë se Jezusi ka folur për një gëzim që askush s’do të mund të na e marrë.*

O Hyj i mëshirshëm, do të donim ta pranojmë gëzimin tënd në çfarëdo situate ku gjendemi. Kur kuptojmë se ti na do dhe na hap rrugën drejt një jete që nuk do të mbarojë kurrë, gëzimi buron prej thellësisë sonë.

Reflekto për atë se çfarë mund të bëhet për t’u dhënë gëzim të tjerëve. Tako dikë personalisht, jo vetëm virtualisht. Nganjëherë, në një shërbim të përvuajtur dhe falas ndaj të tjerëve, marr në këmbim shumë më tepër nga sa prisja, sidomos kur shoh gëzimin në fytyrën e atyre të cilëve jam duke u shërbyer.

 

Të kërkosh një kuptim

Në secilin prej nesh ka një etje për domethënie. Ku mund ta shuajmë këtë etje? Në jetët tona frenetike, diku brenda nesh, gjendet një zë i heshtur që përshpërit se ne jemi të dashur.

Nikodemi, një nga krerët fetarë, i cili ishte në kërkim të domethënies së vërtetë të jetës së vet, dëgjoi të flitej për Jezusin.* Shkoi natën për ta takuar, duke kërkuar mënyrën për t’i shprehur me fjalë mendimet e veta.

Pyetjet tona më të thella mbi fenë, jetën dhe vdekjen, domethënien dhe qëllimin e jetës, shpesh mbeten të pashprehura. Por deri sa nuk shfaqen, diçka në ne nuk është e kënaqur, pikërisht sikurse për Nikodemin.

Në kërkim, a do t’i ndjekim pyetjet tona derisa të na çojnë te burimi i jetës? Mundet të mos i gjejmë të gjitha përgjigjet; por kur të guxojmë të ndjekim Krishtin, do të arrijmë të dorëzohemi në duart e Hyjit me besim të kthjellët.* Atëherë zbulojmë se dashuria dhe mirësia e Hyjit na mbështjellin.

Kuptimi i jetës së Jezusit nuk ishte të gjykonte njerëzimin, por të bënte që çdo qenie njerëzore të kuptonte se Hyji e do. Ai vjen për të na treguar udhën e një dashurie gjithnjë e më të madhe. Ky është sekreti i tij.

Nikodemi i afrohet dritës hap pas hapi. Një vit apo dy pasi ka takuar Jezusin natën, e mbrojti atë haptazi pranë autoriteteve të Jerusalemit.* Pak muaj më vonë, kur Jezusin e varën në kryq, tregoi guxim të madh.* Guxoi t’i përkiste grupit të miqve të Jezusit. Guximi i tij e shtie në bashkësi.

Më prij, o dritë e ëmbël, në mes të errësirës përreth, më prij ti... Nuk kërkoj të shoh skenën e largët; vetëm një hap më mjafton.*

Përpiquni të organizoni një takim në të cilin çdo person flet për atë se si e gjen kuptimin e jetës së vet. Për disa do të jetë nëpërmjet fesë, për të tjerë nëpërmjet ndonjë veprimi praktik, ndërsa të tjerë do të kenë ndoshta më shumë pyetje se sa përgjigje. Kjo bashkëndarje dhe ky dëgjim i vëmendshëm mund të jenë një mënyrë për t’i dhënë zemër njëri-tjetrit. Nëse duket e përshtatshme, takimi mund të fillojë me një këngë që thërret Shpirtin Shenjt dhe të mbyllet me një këngë falënderimi.

 

Të kërkosh një botë të drejtë

Padrejtësia – qoftë nëse bëhet fjalë për shkatërrim ekologjik,* pabarazi, dhunë, shtypje apo luftë – nxit një seri emocionesh: indinjatë, zemërim, trishtim, nganjëherë dëshpërim. Por kur vendosim, me të drejtë, ta luftojmë, a nuk rrezikojmë të mbyllemi aq shumë në opinionet tona sa të mos shohim më përtej?* Ekziston madje edhe rreziku që të bëhemi robër të vetë algoritmit tonë dhe të mbetemi të bllokuar në polarizimin që kërcënon shoqëritë tona.

Le të dalim prej skemave tona dhe të lejojmë që këndvështrimet e ndryshme prej tonave të na nxisin, edhe atëherë kur një marrëveshje duket e pamundur.

Nganjëherë duhet të jemi të aftë të mbajmë së bashku realitete kkomplekse, ku asnjë zgjedhje nuk duket e mundshme.* T’i dëgjojmë ngjarjet nga palë të ndryshme mund të jetë çorientuese, por të mos i dëgjojmë do të ishte e padrejtë.

Pas lutjes së mbrëmjes, në kishën e Taizesë, një grua e re më ka thënë: «Duhet ta pranoj dhunën që ekziston në mua, por edhe ta bëj atë të bashkëjetojë me nevojën time për soditje.» Kjo fjali më është dukur shumë çliruese. Në vend që ta shtypë atë ndjenjë, ose të shtiret se ajo nuk ekziston, e ka afruar atë me etjen për Hyjin.

Ekziston rreziku që forcat shkatërrimtare që gjenden në secilin prej nesh të mbizotërojnë. Është kaq e lehtë t’i demonizojmë personat, madje edhe kombe të tëra. Atëherë rrezikojmë të thithemi në një spirale dhune e ta zgjasim atë. Soditja – lutja – na hap ndaj një dimensioni tjetër, duke na bërë të pajtohemi me atë që bartim brenda vetes dhe të gjejmë mënyra për të ndërtuar ura.

Shpirti Shenjt është i pranishëm për të na drejtuar në rrugën ku mund të marrim vendime të guximshme. Vëlla Rozheri, që e ka filluar jetën tonë bashkësiore në Taize, ka folur për një dhunë krijuese në vepruesit e paqes* që u lejon atyre të mos bien në tundimin që ta braktisin udhën e Ungjillit.

Jezusi mishëron botën e drejtësisë dhe të marrëdhënieve të drejta që Ungjijtë e quajnë Mbretëria e Hyjit. Por u zemërua dhe përmbysi tavolinat e shitësve e të këmbyesvev në Tempull për t’i bërë vend Hyjit.* Jezusi foli me furi kundër hipokrizisë fetare, por qe edhe i aftë ta pranonte një kryetar fetar si Nikodemi. I njihte farizenjtë dhe e pranoi mikpritjen e tyre,* por bashkëndau edhe bukën me personat e përjashtuar nga shoqëria. Ushqente një dashuri të patundur për delet e humbura të popullit të tij Izraelit,* por admiroi fenë e një zyrtari romak dhe shëroi fëmijën e tij;* dhe lejoi të sfidohej nga feja e një gruaje pagane që e takoi gjatë një udhëtimi jashtë.*

Duke marrë përsipër rrezikun e vendosjes së marrëdhënieve me persona të ndryshëm,* Jezusi ka favorizuar besimin dhe ka mishëruar fuqinë pajtimtare të Hyjit.

Nëse e dimë se drita shkëlqen në errësirë dhe se, nëpërmjet gjestesh të thjeshta të mirësisë njerëzore, dashuria e Hyjit mund të fitojë, atëherë jemi të lirë të veprojmë.

O Jezu Krisht, në jetën tënde tokësore, nuk ke ngurruar kurrë të padisësh padrejtësinë, por edhe ke ndërtuar ura me ata që takoje në rrugën tënde. Shtoje në ne etjen për t’i zhdukur ndarjet që përçajnë personat e kombet, në mënyrë që drejtësia të mund të lulëzojë në tokë.

Çfarë hapash konkretë mund të bëjmë për të ndërtuar ura aty ku ka ndarje? Është e vështirë për një person që të veprojë vetëm. Të reflektojmë me të tjerët; të bashkojmë idetë; të shkojmë së bashku për të takuar ata që janë në skajet e shoqërisë. Çfarë do të thotë të dëgjosh ata që kanë opinione të ndryshme prej tonave, të kuptojmë frikat e tyre, megjithëse duke ruajtur vlerat tona ungjillore?

 

Të kërkosh bashkësinë

Një prej vullnetarëve të Taizesë më ka thënë: «Dua të jetoj sipas vlerave të mia dhe atyre të Ungjillit. Kur marr një vendim, pyes veten: a është e pranueshme për të tjerët, për planetin si dhe për mua? Duam të ndërtojmë një botë më të mirë.»

Bashkësi mes nesh, me botën e krijuar, me Hyjin: pas izolimit të pandemisë, a jemi të gatshëm të rindërtojmë një botë bashkësie,* një botë solidare?* Gjithçka është e lidhur; i përkasim të gjithë njëri-tjetrit në shtëpinë tonë të përbashkët, bota e krijuar që na është dhuruar.

Në Kryq, bashkësia e Jezusit ishte shpërbërë. Juda e kishte tradhtuar. Pjetri e kishte mohuar. Pjesa më e madhe e miqve të tij kishte ikur. E gjithë vepra e Jezusit për të ndërtuar një jetë bashkimi në dashuri, në mirëpritje ndaj të gjithëve, dukej se kishte mbaruar. Kishte rrezikuar duke qenë i gatshëm të jepte jetën edhe për ata që do ta refuzonin. Por në momentin më të errët, bashkësia rilind te këmbët e Kryqit.*

Sipas Ungjillit të Gjonit, katër gra dhe një burrë rrinë me Jezusin deri në fund. Pa fjalë, thjesht janë aty. Bëhen dëshmitarë të bashkimit që Jezusi vazhdon të krijojë edhe kur asgjë më nuk duket e mundshme.

Armiqësia dhe refuzimi e prishin bashkimin njerëzor. Në Kryq, Jezusi i merr mbi vete këtë armiqësi dhe këtë refuzim, duke rindërtuar bashkimin edhe në momentin e vuajtjes më të madhe.*

Në Kryq, Jezusi ia beson nxënësin e dashur nënës së tij si një bir tjetër, dhe ai, si përfaqësues i të gjithë nxënësve të ardhshëm që Jezusi i do, e pranon atë në shtëpinë e vet. Lind një familje e re: bashkësia e besimtarëve në Jezusin, Kisha – e lindur jo në mënyrë njerëzore prej triumfit dhe prej fitores, por prej një dashurie që është më e madhe se heshtja memece e vuajtjes. Kush do të mund të përjashtohej nga një bashkim i tillë?*

Në Kishë jemi të thirrur të rrimë pranë atyre që vuajnë, pranë viktimave të padrejtësisë.* Jemi të gjithë qenie njerëzore, të thirrur ta pranojmë njëri-tjetrin me barazi e drejtësi, në respekt të lirive dhe të integritetit të çdo personi.

Jezusi e përfundon veprën e vet kur vdes në vigjiljen e së shtunës, të shtatës ditë të javës,* pikërisht sikurse Hyji e ka përfunduar veprën e krijimit të shtatën ditë, pasi pa se gjithçka «ishte shumë e mirë».* Dhurimi i jetës së vet mbi Kryq është fillimi i një krijimi të ri. Vdes me një vdekje të dhunshme, por prej trupit të tij burojnë «lumenj ujërash të gjalla»*,* një ujë që nuk është gjë tjetër veçse Shpirti Shenjt që përtërin fytyrën e tokës.

Trupi i Jezusit vendoset në një varr të ri në një kopsht, kopshti që toka jonë është e destinuar të bëhet.* Dhe në heshtjen e të shtatës ditë që vijon, krijimi i plagosur, në të cilin bëjmë pjesë dhe që u është besuar përkujdesjeve tona, fillon shndërrimi i tij i fshehtë.

O Jezu Krisht, ti ke dhënë jetën tënde për çdo person dhe na tregon se deri në çfarë pike je i gatshëm të angazhohesh për ne. Bëj që të mund të rrimë te këmbët e Kryqit tënd bashkë me Nënën tënde dhe me nxënësin tënd të dashur, e të pranojmë atë që ti na thua.

Me kë na kërkohet të rrimë? Si e jetojmë bashkësinë? Studentët mund të bashkëndajnë një shtëpi, të luten dhe të bashkëndajnë vaktet, sidomos me studentët e huaj; të tjerë takohen çdo javë në shtëpinë e dikujt. Ta pranojmë me gjithë qejf atë që ndihet i përjashtuar, duke e kapërcyer ndjenjën e padrejtësisë në një mënyrë të thjeshtë.

 

Të kërkosh paqen

Dëshirojmë me gjithë shpirt paqen: paqen e brendshme dhe paqen në këtë botë që Hyji e do shumë. «Filloje veprën e paqes brenda teje, kështu që, kur të jesh në paqe, të mund t’ua çosh paqen të tjerëve»,* thoshte një besimtar i shekullit IV.

Kur Jezusi takon Marinë Magdalenë në kopsht mëngjesin e Pashkëve, e pyet: «Pse po qan? Kë po kërkon?»* Lotët e saj shndërrohen në gëzim kur kupton se ai që dëshironte shumë nuk është mposhtur prej vdekjes. Dhe Jezusi e dërgon që ta bashkëndajë atë që kishte parë e dëgjuar me miqtë e tjerë të tij.

Pak më vonë, kur Jezusi i takon ndërsa janë ende shumë të frikësuar, fjalët e tij të para janë: «Paqja me jui!»* Duke hyrë në frikën e tyre, i hap ata ndaj paqes së pranisë së tij. Duke hukatur mbi ta Shpirtin Shenjt, u beson atyre përgjegjësinë që ta vazhdojnë veprën e tij të pajtimit.

Paqja që Jezusi u kishte premtuar para vdekjes së tij, një «paqe që bota nuk mund ta japë»,* është shumë më tepër se një mungesë konflikti. Fjala biblike shalom përmban një kuptim restaurimi dhe plotësimi. Kjo është paqja që Hyji na beson në mënyrë që të mund ta kultivojmë e ta zhvillojmë.

Kur i ndihmojmë të tjerët të zbulojnë lirinë dhe paqen që u ofrohen atyre, kur bëjmë gjithçka është e mundur për të shembur barrierat e armiqësisë apo muret që i mbajnë të kufizuar, atëherë marrim pjesë në vetë jetën e Hyjit. Dhe kur e vështrojmë krijimin me mahnitje e mirënjohje, dhe kujdesemi për të, a nuk jemi duke përshkuar të njëjtën rrugë?

Të gjithë kemi nevojë të lejojmë të mbështillemi prej paqes që Krishti i Ringjallur i premton secilit prej nesh. Në këtë mënyrë do të mund të ecim së bashku dhe ta shoqërojmë njëri-tjetrin, duke mbjellur shpresë* hap pas hapi. Edhe nëpërmjet gjesteve më të thjeshta, a do të përpiqemi të bëhemi shenja të pajtimit, shtegtarë të paqes, secili në mënyrën e vet, aty ku Hyji na ka vendosur?

Të dëgjojmë zërat e atyre që vuajnë për shkak të konflikteve vdekjeprurëse ose prej dhunës që duhet të përballojmë në shoqëritë tona: të mbajmë kontaktet me personat që jetojnë në zona lufte mund të jetë një mënyrë për ta bërë këtë. Të mbështesim ata që luftojnë për drejtësi në vendet me regjime shtypëse ose me qeveri që promuovojnë luftën. Nëse disa prej këtyre personave janë të gatshëm të bashkëndajnë dëshminë e tyre. Të organizojmë një vigjilje lutjeje për paqen dhe le t’u kërkojmë të bashkëndajnë historinë e tyre. Të dëgjojmë atë që Shpirti Shenjt është duke na thënë sot.

Na beko, o Hyj i dashurisë. Nëpërmjet Shpirtit Shenjt, drejtoji gjithmonë hapat tanë ndërsa ecim me Krishtin e Ringjallur. Bëj që të përpiqemi të bëhemi shtegtarë të shpresës, shtegtarë të paqes.

Annual messages

Published on 28 dhj 2025